Spice Girls, “shpërthyese” dhe “elektrizuese” në Lojërat Olimpike (FOTOT)
Londër, 13 gusht 2012, - Janë ribashkuar të pesta vetëm për një mbrëmje speciale siç ishte ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike.
Kanë ndezur skenën dhe kanë marrë duartrokitje të shumta nga publiku, 5 vajzat e grupit Spice Girls, në stadiumin madhështor, raporton noa.al.
Performanca e tyre në këtë ceremoni lamtumire është komentuar nga mediat botore edhe për rikthimin pas kaq vitesh të vajzave pranë njëra-tjetrës.
Ato mbërritën në skenë të hipura në makina të zeza, të cilat më pas reflektonin sipas veshjes së tyre personale dhe kënduan këngët e njohura mes të cilave edhe “Wannabe”.
Ishte një kohë e gjatë që flitej për rikthimin në skenë të Victoria Beckham, Geri Halliwell, Mel B, Mel C dhe Emma Bunton ndërkohë që kjo ndodhi pikërisht në momentin e duhur.
Stilistja Victoria Beckam mbante veshur një fustan të zi të ngushtë pas trupit dhe të shkurtër, ndërsa në pjesën e pasme ishte i shoqëruar nga një bisht, krijim i Giles Deacon.
Mel B shfaqi linjat trupore të saj me një kostum të ngushtë pas trupit që shkëlqente dhe që ishte realizuar nga Zuhair Murad.
Geri si gjithnjë më sportivja e grupit, mbante veshur një fustan të kuq tepër të shkurtër të kombinuar me fije të arta dhe flamurin britanik, dhe të stiluar enkas për këtë mbrëmje nga Halo & Co tiara.
Mel C e veshur komplet me të bardha, dhe këtë veshje e kishte kombinuar me rrip të shndritshëm dhe atlete po të shndritshme, ndërsa flokun e kishte kapur bisht.
Tepër e ëmbël me fustanin pink u shfaq në këtë interpretim Emma Bunton, e njohur edhe si Baby Spice.
Pas performancës Geri shkruan në Twitter: “Ishte tepër e mrekullueshme. Ju falënderoj të gjithëve, ne ju duam juve”.
Por edhe Victoria ka komentuar në statusin e saj: “Ne ia dolëm. Ju dua shumë vajza”.
Në ceremoninë e lamtumirës së Lojërave Olimpike, interpretuar këngëtarë të muzikës britanike, si George Michael, Muse, The Who, Take That, etj.