Thursday, August 30, 2012

Cudirat dhe absurditetet 'Made in Albania' ne klipet e veres

Vapë, shumë vapë… Kondicionerët na duhet t’i përdorim me karar se ka shkuar energjia elektrike në stratosferë… Dhe natyrshëm që vapa shoqërohet me stres, shumë stres dhe e gjitha kjo lë pasoja jo vetëm te ne njerëzit e thjeshtë, por edhe te të famshmit shqiptarë. Edhe ata me sa duket kanë probleme serioze me faturat e energjisë… Kjo kuptohet qartë te klipet që disa prej tyre kanë lançuar këtë verë…Ja të rendisim disa nga ato më impresionueset.

Kërkohet një Lamborgini për Stresin

E lançoi si mrekullinë e kësaj vere, si një klip që do çudiste të madh e të vogël. Dhe në fakt na çuditi. Këngë e lezetshme, fërkime trup me trup me një bionde, tekst i denjë per një repist që jeta mund t’i ketë mësuar gjithçka përveç modestisë, por ka një problem… Kur ai kërkon të dijë se si duket nga xhami i një lamboje, lambo nuk ka gjëkundi. Ajo është zëvendësuar me një makinë kartonësh! Ah sikur të kishte qenë prej vërteti, kushedi se si do dukej Stresi nga xhami i saj! Tamam një superstar.

Maya, tashmë një Marilyn Monroe ala shqiptare

Meqë e mblodhëm mendjen dhe e gjetëm Madonën shqiptare që natyrisht është Bleona, tani ramë rehat se gjetëm më në fund edhe Marilyn Monronë “Made in Albania”. Ajo është këngëtarja labe Maya! Në këngën e saj më të fundit të shoqëruar edhe me klip, “E nise”, Maya e nis dhe e bitis e katandisur si Marilyn Monroe, duke na treguar edhe pak nga kofshët e saj mbresëlënëse. Urime për guximin vlonjate e dashur, por ne më shumë të pëlqejmë në versionin folk.

Luar klip në plazh, harron rrobat e banjës

E rikthyer nga studimet jashtë dhe e lançuar nga FLori Mumajesi në një duet me të, Luar sjell një klip të ri. Nga hera e fundit që e pamë në klip, ndryshimet janë të dukshme për sa u përket kileve të tepërta që ka marrë sapo ka lënë mëmëdheun, mirëpo nuk kishte se si klipin e verës të mos e bënte në plazh. Kështu që e zgjidhi problemin, në breg të detit me fustan deri në fund të këmbëve, duke bërë not me fustan deri në fund të këmbëve, pra me një fjalë e mbuluar nga koka të këmbët! Por prapë ne e kuptuam. Je shëndoshur Luar, do na duhet të presim ca me sa duket, derisa të realizosh klipin e duhur me bikini.

Geri e “Big Brother” nuk është vetvetja as si këngëtare

Donte të bëhej e famshme dhe u fut në “Big Brother”. Kur doli që aty, e kuptoi se në këtë format është njëri që fiton ca lekë dhe te tjerët harrohen sapo të fillojë vera. Edhe pse ne e ngatërruam me ca histori dashurish, prapë nuk ia dolëm t’i bënim një promo të mirë. Kështu që e zgjidhi vetë, u bë këngëtare! Sapo ka nxjerrrë këngën e saj të parë të shoqëruar me klip, ku përveçse na tregon se disponon disa fustane, ashtu siç bëri edhe në shtëpinë e “Big Brother”, nuk morëm vesh asgjë tjetër. Një këngë më shumë e recituar se e kënduar, na bëri të mendojmë se edhe marifetet kompjuterike që rregullojnë zërin, shpeshherë nuk bëjnë punë. Pra, me një fjalë edhe në muzikë Geri nuk është vetvetja. Po sikur ta provosh me një rol filmi, Geri?

Overdozë këngësh patriotike nga Adrian Hila

Rozana Radi dhe Barbana Dini këtë vit kanë braktisur plazhet, bikinit dhe jahtet dhe kanë rrokur nga një flamur shqiptar në këngët dhe klipet e tyre më të fundit. Që të dyja këndojnë këngë patriotike për 100-vjetorin e pavarësisë, veçse ka një problem, këngët, të kompozuara që të dyja nga Adi Hila, janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Barbana ka zgjedhur një performancë moderne, ku në klip shfaqet me motor, ndërsa Rozana u ka ndenjur besnike elementeve folk, duke shtuar ca zjarr e flakë. Por ama këngët janë pothuajse identike. Gjithsesi, ne i sugjerojmë Adit që të mos bëjë më këngë patriotike për këtë vit. Duke llogaritur që deri në nëntor Meda do ketë bërë nja pesë këngë të tilla e Sinani nja katër, besojmë se janë të mjaftueshme. Kismet nga viti tjetër mbase!  PanoramaPlus