Friday, August 10, 2012

Protestë me puthje kundër arrestimit për puthje


Leon, 9 gusht -  Çiftë të të gjitha moshave u puthen para kishës në qytetin Leon, në Meksikën qendrore, në shenjë proteste kundër arrestimit të një mashkulli që kishte puthur partneren e vet. 

Protesta me puthje është mbajtur të dielën që shkoi në mesditë, në të njëjtën kohë kur mbahet mesha, që u mbështet edhe nga disa parohë.

Manuel Berumen, 38 vjeç, ligjërues në universitet, u mbajt në arrest 12 orë sepse derisa po shëtiste nëpër një shesh aty afër e kishte puthur partneren e vet, me të cilën ka një fëmijë katër vjeç, transmetoi AFP. 

“Po e puthja Majrën dhe papritmas dëgjova dikë që po thërriste “Këtu ka fëmijë, fëmijë!”, thua se ishim lakuriq ose që bënim veprime pornografike në rrugë”, u tha Berumen gazetarëve, pasi iu ankua një organizate për të drejtat e njeriut.

Ai dhe partnerja e tij akuzohen për shkelje të rregullave morale. Gjykatësi vendor ua caktoi 12 orë paraburgim. Berumen tha se pesë policët, që reaguan ndaj thirrjes së një gruaje të skandalizuar, e arrestuan vetëm atë. 

Shteti Guanahuato, që ka Leonin kryeqytet, është njëri nga më konservativët në Meksikë dhe në të edhe më parë kishin ndodhur incidente të ngjashme.