Wednesday, August 29, 2012

Ishujt: VIP-at shesin parajsat e fundit


 
Nga Nicolas Cage te Johnny Depp, 600 ishuj që u përkasin të pasurve, presin në treg për t’u shitur. Arsyeja? Kushtojnë shumë për t’i mbajtur

Dikur ishte “statusi” i pangatërrueshëm i superpasanikëve, shenjë e ekskluzivitetit absolut, madje më superior edhe se vila madhështore buzë detit me pishinë dhe kinema brenda saj. Të kishe një ishull privat ishte tjetër gjë. Por tani, mesa duket, kjo mani ka dalë nga moda. Janë të paktë ata që i blejnë me dëshirë, ndërsa të tjerë që i kanë, nuk ngurrojnë t’i nxjerrin në shitje. Të qëndrosh i vetëm në ishull ashtu si Robinson Kruzo, edhe pse shoqëruar me një numër të madh maxhordomësh dhe shërbyesish me vete, nuk është më në modë. Ndoshta është kjo pasoja e radhës së krizës globale.

Ndoshta edhe miliarderët e kanë kuptuar që nuk ia vlen aspak të shpenzosh kaq shumë për të blerë diçka dhe akoma më tepër për ta mbajtur në gjendje të mirë, e që do ta shfrytëzosh për një fundjavë apo për një javë një herë në vit. Dhe kështu ka nisur tendenca tjetër: ajo e shitjes së ishujve: sipas agjencive të specializuara në këtë lloj tregtie, shkruan “Sunday Times”, janë më shumë se 600 të tilla në treg, gati t’i shkojnë atij që bën ofertën më të mirë, apo edhe ndonjë ofertë ashtu-kështu, mjafton që ta heqin qafe. Tri herë më shumë sesa ishin në shitje pesë vjet më parë.

Me pak fjalë, një bum i vërtetë me një listë pronarësh të “mërzitur”, me faktin se kanë një ishull të gjithin për vete, përbëhet nga emrat e njerëzve të famshëm. Këngëtarja Celine Dion ka nxjerrë në shitje atë çka kishte blerë në brigjet perëndimore të Kanadasë, për një shumë prej 21 milionë eurosh. Bashkëthemeluesi i “Microsoft”, Paul Allen, ka bërë të njëjtën gjë me pronën e tij në gjirin e Siatëllit: por çmimi është thuajse gjysma e atij të Celine Dion, dhjetë milionë dollarë. Iluzionisti i famshëm David Copperfield dështon të shesë ishullin e tij në Bahamas, pasi ia dha “hua” për ditën e tij të martesës njërit prej themeluesve të “Google”, Sergej Brin.

Nga ana tjetër, aktori Nicolas Cage është gati të lëshojë Laf Cay, edhe ky një ishull i vogël në arkipelagun e Bahamasit, për çfarëdo lloj shifre. Duke qenë se ka harxhuar 3 milionë euro për ta blerë, kuptoi se nuk duhet më, pasi nuk mund të ndërtojë aty asgjë sipas një plani të vjetër rregullues. Kolegu dhe miku i tij në Hollivud, Johnny Deep, u përpoq të bëhej më dinak, duke ia dhënë ishullin e tij “Little Halls Pond Cay”, përkrah atij të Cage, ish-bashkëshortes Vanessa Paradise si pjesë e marrëveshjes për ndarjen e pasurisë nga divorci. “Jo, faleminderit!”, iu përgjigj aktorja franceze, duke e ditur mirë që Deep, pasi investoi katër milionë dollarë për blerjen, ndërtoi në ishull disa shtëpi njëkatëshe dhe nuk ka kaluar aty as edhe një natë të vetme. “Pirati i Karaibeve” në të vërtetë preferon komfortin e hoteleve me pesë yje. Por nuk është vetëm çështje komforti. Mirëmbajtja e një ishulli, sado i vogël qoftë, kushton shumë para dhe mundim. Duhet të transportosh gjithçka, nga energjia elektrike deri te dërrasat, për të mos folur për materialet e ndërtimet apo ushqimet.

Duhet mbajtur një staf i përhershëm që të kujdeset për të 365 ditë të vitit, edhe pse mund të shkosh një ditë ose asnjë ditë në vit në atë vend. Për më tepër, edhe kastat janë shumë të larta. Nuk është si jahti që maksimumi mund të kalosh natën në një tjetër port, me një tjetër flamur për të shmangur taksat. Për më tepër, ata që e kanë blerë në dete tropikale, ekziston gjithmonë frika dhe rreziku i tajfuneve dhe uraganeve shkatërruese. “Një numër i madh njerëzish joshen nga ideja e Robinson Kruzosë, për të pasur një ishull të gjithin për vete, por realiteti është shumë ndryshe nga fantazia”, thotë Ben Fogle, një shkrimtar dhe gazetar anglez që u bë i famshëm me një “reality show” televiziv i tipit “Ishulli i të famshmëve”.

Natyrisht që ka ende ndonjë që i blen, pavarësisht krizës: Larry Ellison, multimiliarderi amerikan i teknologjive të reja, bleu muajin e kaluar në Lanai, në Hauai, nga një tjetër pasanik David Murdoch. Për më tepër, familja mbretërore e Katarit bleu në prill ishullin e Oxia-s në detin Jon, për një shifër 4 milionë euro. Por kjo e fundit nuk përbën më ndonjë çudi të madhe, sepse Katari po blen gjithçka: nga grataçielat e Nju Jorkut te magazinat e mëdha Harrods në Londër apo skuadrën e PSG në Paris. Për më tepër, shitësi i ishullit, qeveria greke, ishte e dëshpëruar për gjetjen e parave.


Ishujt e VIP-ave në shitje

Miliona dollarë / Miliona euro

Pronari

600 - Numri i ishujve në shitje në të gjithë botën, sipas vlerësimeve

3 - Është tri herë më i lartë se në 2006-n numri i tyre

1000 – Numri i ishujve që janë në duart e personave privatë



Pronarët e tjerë

Ishulli: Blackadore Caye, Belize
Pronari: Leonardo di Caprio

Ishulli; Mago Island, Fixhi
Pronari: Mel Gibson

Ishulli: Tiano, Polinezia franceze
Pronarja: Diane Ross

Ishulli: Bonds Cay, Bahamas
Pronarja: Shakira

Ishulli: Necker Island, British Virgin Islands
Pronari: Sir Richard Branson